Përmbytjet në Pakistan

09/08/2010 13:45

Pakistani vazhdon që të jetë i mbuluar nga ujërat, ndërsa situata për banorët e tij bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.

Sipas autoriteteve pakistaneze, niveli i ujit ka kaluar shkallën e rrezikut në digat dhe barrierat e krahinës jugore Sind duke bërë që e gjithë zona të jetë në prag të një përmbytje masive.

Sipas ekspertëve, nëse këto barriera nuk do të mbajnë, dëmet njerëzore dhe materiale do të jenë shumë më të rënda se sa është parë deri tani në Pakistan.

Mediat pakistaneze bëjnë të ditur se banorëve të zonave të përmbytura i është sosur durimi, ndërsa ka pasur raste sulmi fizik ndaj ekipeve të emergjencës për shkak të ruitmit të ngadaltë të operacioneve të shpëtimit.

OKB e ndjekur nga shumë vende të tjera të botës kanë premtuar ndihmë për Pakistanin e dërmuar nga përmbytjet, por kushtet tejet të vështira në terren e kanë penguar ndjeshëm këtë proçes.

Deri tani, më shumë se 1600 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të furishme, ndërsa më shumë se 14 milionë të tjerë janë prekur prej tyre.

Top Channel