Ruçi: Palët vullnet për zgjidhje

14/07/2010 13:05

Mazhoranca dhe opozita duket se më në fund po e gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e ngërcit politik që ka mbërthyer prej rreth një viti vendin.

Pas takimit të sotëm mes negociatorëve, atij demokrat Astrit Patozi dhe atij socialist Gramoz Ruçi, ky i fundit doli në një konferencë për media.

“Ka vullnet dypalësh për zgjidhjen e krizës. Diskutuam dhe ramë dakord për ngritjen e një komisioni të ri hetimor për zgjedhjet, ku drejtimin do ta ketë opozita. Në takimet që do të pasojnë do të njihemi edhe me modalitetet ligjore”, u shpreh Ruci.

Sipas tij është rënë dakord që objekt i hetimit të komisionit do të jetë gjithcka që ekziston në kutitë e materialeve zgjedhore, ndërsa të gjitha institucionet shtetërore të jenë të detyruara të përgjigjen në një afat shumë të shpejtë, mundësisht 7 ditësh.

Ruçi njoftoi se ky është takimi i parë, i cili do të pasohet nga të tjerë.

Top Channel