Një mbledhje e jashtëzakonshme po zhvillohet në selinë e qeverisë së Kosovës, pas bastisjes së zyrave të Ministrisë së Transporteve dhe shtëpisë të ministrit Fatmir Limaj nga policia e EULEX.

Sipas informacioneve të fundit, takimi ka filluar rreth dy orë më parë dhe në të po marrin pjesë ministri Fatmir Limaj dhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë, mes të cilëve ai amerikan Christopher Dell.

Ndërkohë, selia e Ministrisë së Transporteve vazhdon të jetë e rrethuar nga njësitë speciale të policisë së EULEX, të cilat kur bastisën ndërtesën kërkuan serverin me të dhëna dhe sekuestruan një mori dokumentesh.

Kohët e fundit nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për këtë aksion, por kryeprokurori i EULEX para pak muajsh paralajmëroi arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.

Përvec zyrës dhe shtëpisë së Fatmir Limajt, policia ndërkombëtare kontrolloi edhe disa prona të vëllait të tij, si dhe zyrat e disa kompanive që kishin fituar tendera nga Ministria e Transporteve.

Top Channel