Varrezat greke, cfarë ka nën tokë?

19/04/2010 18:55

Në Këlcyrë mëngjesi është i zakonshëm si në çdo qendër tjetër qyteti shqiptar.

Kudo ka lëvizje, nxënësit nxitojnë me ngut për të kapur orën e parë të mësimit, njerëzit nxitojnë të shkojnë në punë, ndërsa kafenetë janë hapur me rrezet e para të diellit. Por nëse në pamje të parë duket kështu, qyteza e vogël nuk është fort e qetë në shpirtin e saj. Varrezat e ushtarëvë grekë pak kilometra më tej nuk kanë sesi të kalojnë pa u komentuar. Skënder Qafa po shijon i qetë kafenë e mëngjësit.

70-vjeçari ka punuar vite më parë si mëditës në varrezat e shumëpërfolura, gjë që duket se nuk i vjen për shtat sot, kur ato janë objekt mërie për shumë njerëz. “Unë kam punuar në varreza para 10 vitesh. Ajo tokë ka qenë e kishës së fshatit. Nuk e kam ditur që do bëheshin varreza për ushtarët, pasi menduam se do bënin një kishë për fshatin”, thote ai. Skënderi nuk di të thotë shumë se çdodh brenda kangjellave të kishës ku janë vendosur varret e ushtarëve grekë. A

i është nga ata që nuk e beson kurrë se ne atë vend ku ka punuar, të ketë 9600 varre aq sa është nënshkruar në marrëveshjen midis palës shqiptare dhe asaj greke kur u mor vendimi për ndërtimin e tyre. “Nuk e besoj, nuk ka mundësi. Madje unë mund të them se sa kam qenë unë aty nuk kanë ardhur as të afërm të ushtarëve të vrarë për të bërë homazhe”, shton ai. Si banor i vjetër i Këlcyrës, Skënderi ka parë dhe ka dëgjuar shumë mbi historinë e luftës italo-greke që është zhvilluar në këtë zonë.

I moshuari nuk përton të lejë kafenë përgjysmë, për të na bërë shoqëri në vendet ku edhe sot thuhet se janë kryer kasaphana të vërteta lufte. Në Këlcyrë duket se në një mënyrë ose tjetër të gjithë janë të përfshirë nga pak në historinë e eshtrave. Ndalesa e radhës është një shtëpi dykatëshe buzë lumit Vjosë. Në këtë banesë, jeton i qetë me familjen e tij Llukan Koto. “Unë e kam filluar shtëpinë në vitin 1993 dhe sapo fillova nga punimet hasa në kuti me eshtra. Sigurisht që nuk u ndjeva mirë. Lajmërova të gjitha instancat dhe më pas erdhën grupe pune”, shprehet Llukani. Për te, ideja se do të jetonte me familjen e tij mbi një vend ku më parë dergjeshin eshtra, nuk ka qenë aspak e lehtë.

Megjithëse vendi ku ai do të ndërtonte shtëpinë u pastrua pëllëmbë për pëllëmbë, ai nuk u ndie kurrë i qetë. Si në rastin e Llukanit, eshtrat e gjetura në vend-beteja të kaluara, janë tërhequr të gjitha kohë më parë. Banorët këtë e dinë. Ajo që nuk dinë, është se nëse eshtrat e grekëve janë tërhequr, me se janë mbushur varrezat e Këlcyrës? Në fshatin Kosinë, 10 kilometra larg qytetit të Përmetit, janë ende të zemëruar me tentativën e para disa viteve, ku të vdekurit e zonës u tentua të përdoreshin për të mbushur defiçitin në eshtra të varrezës së projektuar për të qenë vendpushimi heroik i mijëra grekëve të vrarë në luftë.

Dhionis Ballabani, sot është 82 vjeç. Ai ka qenë 13 vjeç, kur në këtë fshat dhe në të gjithë hapësirën që e rrethon, ushtria italiane dhe ajo greke u përfshinë në një luftë të egër e cila pati viktima të shumta në numër. Por më e keqe se lufta, për Dhionisin do të ishte ajo që do të pasonte më pas. Ai është një nga banorët e Kosinës, të cilit i kanë marrë eshtrat e të afërmve, për t’i reklamuar më pas si kocka të ushtarëve grekë të vrarë në luftë. Pak metra larg varrezave të fshatit thuhet se qëndrojnë të fshehura kockat e fshatarëve të Kosinës, që autoritetet kishtare u munduan t’i shesin si eshtra ushtarësh.

Dhionisi ende shpreson se eshtrat e familjarëve të tij ndodhen atje, ndonëse askush nuk i lejon këta fshatarë të thjeshtë të bëjnë verifikimet e duhura. “Nuk e di se c’ishte gjithë kjo histori. Por ky është një turp i madh. Grekët do marrin opingat këtu se nga vendi ynë nuk na luajnë dot”, thote ai. Udhëtimi vazhdon drejt Përmetit. Edhe këtu eshtrat dhe vendimi për të legalizuar varrezën greke në grykën e Këlcyrës nuk janë pritur mirë. Dhanil Nasto e ka përjetuar vetë luftën italo-greke. Ai sot është një pensionist që ditën e shtyn më së shumti në park, por që sapo e ngacmon mbi një temë të tillë, merr flakë përnjëherë. “Aty ku janë ndërtuar sot varreza nuk ka pasur varre ushtarësh. Ato varre duhet të ishin në Greqi jo këtu. Këtu varre ka pasur vetëm pas stadiumit”, pohon i moshuari. Thuhet se pikërisht në këtë vend, Kadareja mori motivin për të shkruar “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.  “Ndryshe nga italianët, grekët nuk erdhën kurrë t’i merrnin kockat e ushtarëve të tyre.

Me kalimin e kohës eshtrat greke kanë humbur nëntokë, ndërkohë që mbi to tani janë ndërtuar banesa”, shprehet Vasili. Kjo është një histori e ngatërruar mes kombesh të vjetra që e dinë mirë proverbin ballkanik që thotë, “aty ku kohës i ka mbijetuar varri i një bashkëkombësit tënd, do të thotë se është një tokë për të cilën ia vlen të vdesësh”. Askush nga banorët e Përmetit shqiptar nuk e kundërshton idenë se ushtarë grekë janë vrarë dikur e janë varrosur në këtë tokë. Por teksa vitet që shkuan i tretën këto varre dhe eshtra që s’dihet më ku janë, ajo që këta banorë nuk duan, është butaforia në formë varreze që s’ka brenda asgjë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel