Topi, “Qytetar Nderi” i Dibrës së Madhe

16/04/2010 15:25

Shiu i rrëmbyer nuk i pengoi dibranët të dilnin të shumtë në numër për të pritur presidentin Bamir Topi.

Qyteti i Dibrës së Madhe në Maqedoninë veriperëndimore, pak kilometra nga kufiri me Shqipërinë, i rezervoi Presidentit shqiptar një moment të vecantë, shpalljen “Qytetar Nderi”.

“Këto momente janë momente të një emocioni të vecantë. Unë sot jam qytetar i Dibrës”, u shpreh Topi.

Si dibran i sapoadoptuar, Presidenti shqiptar ngriti lart vlerat qytetare të Odës Dibrane.

“Në vitin 1991 vjen në Shqipëri një misionar anglez i LIIB, që kishte shërbyer në këto zona dhe i kishte njohur shumë mirë rregullat e kësaj zone. I mbushur me kujtime dhe emocione, duke iu referuar dibranëve dhe Odës Dibrane ai tha se dy universitete kam kaluar në jetë: universitetin e Oksfordit dhe universitetin e Dibrës. Duke e krahasuar me parlamenti anglez, ai e quante Odën Dibrane një parlament të vërtetë”, theksoi Topi.

Për Presidentin Topi është detyra e politikanëve që të promovojnë vetëm politikat e komunikimit, të miqësisë dhe të harmonisë. Në këtë komunikim sipas tij, një rol të rëndësishëm luajnë edhe rrugët, që afrojnë njerëzit. Presidenti Topi garantoi se qeveria shqiptare do ta ndërtojë rrugën e Arbrit:

“Nga Dibra në Tiranë nuk do të jenë më shumë se 75 kilometra. Ju do e keni më të kollajtë për të ardhur në Tiranë dhe unë do të kem më të lehtë për të ardhur në Dibër”, theksoi Topi.

Në etapën e fundit të vizitës së tij në Maqedoni, Presidenti Bamir Topi e cilësoi vizitën në republikën fqinje si të paharruar, duke theksuar edhe njëherë se e ardhmja e të dy vendeve është në Bashkimin Europian.

Top Channel