Titani ka jetë, por me erë të keqe…

16/04/2010 16:30

Shkencëtarët kanë mbështetur edhe një herë hipotezën e ekzistencës së mikroorganizmave të gjalla në satelitin e Saturnit, Titan, por sipas një hipoteze të re, këto gjallesa nuk janë të përshtatshme për ambientin tonë.

Studiuesit e kimisë mendojnë se gjallesat jashtëtokësore mbartin me vete një erë jo të këndshme, së cilës vështirë se njerëzit mund t’i rezistojnë. Hipoteza është zhvilluar duke studiuar Titanin që është edhe sateliti më i madh i Saturnit.

“Jeta ka nevojë për materie në gjendje të lëngshme dhe nëse në Titan ka forma jete ato duhet të bazohen në metanin e lëngshëm dhe jo në ujë. Kjo do të thotë se përbërja e tyre kimike është shumë e ndryshme”, thekson kimisti William Bains.

Kjo hipotezë është mbështetur në pamjet që mori në vitin 2005 sonda “Huygens”, e cila fotografoi lumenj dhe liqene metani në sipërfaqen e Titanit. Temperatura mesatare e këtij sateliti është -180 gradë, ai është 2 herë më i madh se Hena jonë, ndodhet 10 herë më larg nga Dielli se Toka dhe të vetmet substanca të lëngëta në sipërfaqen e tij janë metani dhe etani.

“Molekulat në të duhet të jenë bazuar në elementë me varietet më të madh se molekulat tokësore. Ato janë edhe më të pasura kimikisht”, shprehet gjithashtu Bains.

Top Channel