Shqipëria dhe Kosova të luftojnë korrupsionin për të hyrë në rrugën e BE. Ka qenë ky mesazhi i nënsekretarit amerikan të Shtetit, James Steinberg, gjatë vizitës në Prishtinë.

“Është kritike për të ardhmen tuaj, të Kosovës dhe Shqipërisë. Duhet të ndërmerrni hapa kundër këtyre dukurive. Kjo do t’i hapte rrugë zhvillimit ekonomik”, ka pohuar Steinberg.

Zyrtari amerikan ka rikonfirmuar qëndrimin e SHBA, se Prishtina duhet të bashkëpunojë me Beogradin për cështjet teknike që lidhin dy vendet.

“Pata biseda konstruktive me përfaqësuesit në Beograd, i cili duhet të bashkëpunojë me Prishtinën. Pavarësisht dallimeve mbi statusin, këto dy vende duhet të punojnë për cështjen e sigurisë, doganave, etj”, ka nënvizuar Steinberg.

Ndërsa presidenti kosovar Fatmir Sejdiu shprehur prirjen e Kosovës për të qenë pjesë e proceseve integruese në Evropë.

“Nënvizuam qasjen e vecantë që Kosova të punojë në funksionalitet të plotë. Shpresojmë të jemi pjesë e proceseve të mëdha”, është shprehur Sejdiu.

Më pas Steinberg është takuar edhe me ministrin e Jashtëm Skënder Hyseni, si dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb në Gracanicë. Ai ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë bisedime për cështjet teknike.

Top Channel