Kryetari i Kuvendit te Kosovës, Jakup Krasniqi, kërkon nga të gjithë kritikët e koalicionit qeveritar të mos paragjykohen ndryshimet e sapondodhura në qeverinë e Kosovës.

Në një intervistë për Top Channel, zoti Krasniqi i konsideron të natyrshme pakënaqësitë e opozitës edhe për lëvizjet e reja brenda qeverisë.

“Të flitet për suksese apo mossuksese të këtyre ndryshimeve, mendoj se duhet te pritet një farë kohe. Unë besoj shumë që këto ndryshime do të sjellin kualitet në qeverisje”, ka deklaruar Krasniqi.

Persa i përket fenomenit të korrupsionit në Kosovë, që opozita atje e ngre si një problem kyc, duke u bazuar edhe në raportet ndërkombëtare, zoti Krasniqi ka një këndvështrim orgjinal në analizën e tij.

“Realisht, gjatë gjithë këtyre viteve, sistemi i drjetësisë ka qenë i udhëhequr nga ndërkombëtarët dhe për mua, personalisht, korruopsioni në Kosovë është më tepër një perceptim, sesa është real. Jemi një shoqëri në tranzicion. Korrupsioni është një dukuri e shoqërive të tregut të lirë. Sigurisht, ekziston edhe në Kosove, por gjithsesi jo në përmasat që flitet apo shkruhet”, është shprehur Krasniqi.

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës ka vend më shumë që qeveria të luftojë korrupsionin dhe kjo për të është një arsye edhe më e fortë, përse Kosovës nuk i duhen zgjedhjet e parakohshme.

“Realisht, në Kosovë nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, për faktin se e kemi marrë një vlerësim në zgjedhjet lokale. Konsideroj se qytetarët e kanë vlerësuar punën e koalicionit qeveritar dhe në këtë rrafsh nuk ka dallime. Edhe në nivelin lokal, partitë e koalicionit kanë ruajtur pozicionet që kanë patur në vitin 2007”, ka nënvizuar Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës beson fort se institucionet kosovare po konsolidohen në favor të forcimit të një shteti demokratik e multietnik, gjë që sipas tij e dëshmon edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese atje, për të detyruar komunën e Prizrenit, me shumicë shqiptare, që stema e saj me simbolin e Lidhjes së Prizrenit të jetë edhe në gjuhën turke dhe serbe.

Top Channel