Lumja, fshesarja e munduar e Tiranes

01/10/2009 18:50

Qyteti bie ne qetesi, fare pak makina sheh ne rruge, ndersa per Lumen, puna nis ne oret e vona te mbremjes.

Me fshesen e saj ajo nis dhe pastron rruget, bashke me kolege te tjere deri ne oren 4 te mengjesit.

Lumja thote se nuk i duket edhe aq keq puna naten, pasi nuk ka grindje me njerezit dhe eshte me e qete. Ne vere eshte mire, sepse punon ne ore te fresketa, ndersa kur ka shi vesh mushama e cizme, kur eshte ftohte, ngrohet duke levizur fshesen.

“Njerezit kane nisur te ndergjegjesohen dhe mbeturinat i gjen me pak neper rruge”, konstaton Lumja, nje grua rreth te 50-ave, po rrudhat ne fytyre e tregojne shume me te plakur.

Per Lumen puna nuk eshte asnjehere problem, pasi me parate qe merr nga kjo pune paguan qirane dhe ushqehet per vete dhe femijet.

Ajo ka kater femije, dy prej te cileve varen teresisht nga nena e tyre. I shoqi ka 10 vjet qe i ka vdekur, ndaj i eshte dashur qe te perballoje jeten e vetme.

Lumja e di fort mire qe jetesa eshte shume e veshtire, ndaj per te siguruar me shume para prej 25 vjetesh jep gjak ne kembim te fare pak lekeve, qe i sherbejne per te lare edhe borxhet ne dyqanet e ushqimit.

“Jap 400 grame gjak cdo tre muaj. Shkoj edhe nje here ne dy muaj, por mjeket nuk me pranojne pasi shohin qe une jam dobesuar. Por mua parate me duhen…”, rrefen kjo grua, jeta e se ciles eshte jashtezakonisht e veshtire dhe nuk eshte treguar shume bujare.

“Ka patur edhe raste qe kam shkuar ne pune pa buke, pasi ua kam lene femijeve. Sakrificat jane te medha, po te pakten te kemi shendet”, perfundon kjo grua e varfer dhe e munduar, duke i shtuar fjaleve te veta te dhimbshme edhe nje doze optimizmi.

Top Channel