Pas Dhalesit refuzon edhe MTKRS

25/03/2009 10:30

Pas drejtorisë së stadiumit “Qemal Stafa” edhe MTKRS-ja ka refuzuar ankesën e FSHF-së për zhvillimin e një seance stërvitore të enjten nga ana e Kombëtares së Ari Han në impiantin kombëtar të kryeqytetit.

Në fillimi ka qenë drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, ai që ka sqaruar situatën. “FSHF më ka kërkuar të zhvillojë tri seanca stërvitore në stadium, madje dy në një ditë, shprehet ai. Insistojnë vazhdimisht sikur kanë të drejtë, por po u them se asnjë rregullore nuk e detyron stadiumin të lejojë përfaqësuese të zhvillojë stërvitje në ‘Qemal Stafa’.

Po të ishte moti i mirë, do e vinim dorën në zemër dhe jashtë rregullores do t’i lejonim të bënin një stërvitje, një ditë para ndeshjes, por me këtë mot të keq, me shira, është e pamundur, pasi prishet fusha. Vetëm hungarezët kanë të drejtë për një seancë në këtë fushë.

Zhvillimi i dy seancave stërvitore (Shqipëria dhe Hungaria) dhe i një ndeshjeje brenda 3 ditësh, do të ishin shkatërrimtare për fushën”. Dhales ka qenë kategorik në refuzimin e tij, kështu që FSHF i është drejtuar MTKRS-së, por edhe atje i është mbyllur dera në fytyrë.

“Po flas më shumë si një ish-trajner, sesa si shef i Drejtorisë së Sporteve, thekson Vasil Bici. Ju lutem përgjegjësve në FSHF të mos e dramatizojnë situatën, të mos bëjnë provokime. Në asnjë rregullore, asnjë kombëtare vendase, në asnjë vend të botës, nuk bën stërvitje në stadiumin ku kluhet ndeshja. Ke kemi luajtur në Njukasëll dhe Londër kundër Anglisë dhe vetëm ne kemi bërë një seancë stërvitore një ditë parë në ‘St. Xhejms Park’ apo ‘Uemblli’, ndërsa kombëtarja angleze nuk ka stërvitur asnjëherë në atë stadium. Kjo duket më shumë si një zhurmë për t’i bërë parapritë një rezultati negativ të mundshëm. Unë i them se nuk duhet të prishim rregullin se dëshiron FSHF, por u bëj thirrje të japin maksimumin në ndeshjen e së shtunës, ku do të ketë mbështetjen tonë dhe të gjithë tifozëve shqiptarë”.

Top Channel