Tirana-Dinamo, fitorja, objektivi i vetëm

31/01/2009 09:00

Kanë pasur një kohë të gjatë prej më shumë se një muaji për t’u përgatitur për këtë sfidë dhe tashmë kjo ditë erdhi. Sot Tirana e Dinamo do të përballen në “Qemal Stafa” në derbin nr. 126 me një objektiv të vetëm: fitoren për të shpresuar për titull.

Situata

Tirana mban vendin e dytë në renditje, me 4 pikë më pak se Vllaznia kryesuese, ndërsa Dinamo gjendet vetëm një pikë pas bardhebluve. Kjo do të thotë se fitorja për secilën skuadër vlen shumë, jo vetëm thjesht për vlerat e derbit, por edhe të klasifikimit.

Dinamo bëri një merkato të bujshme dimri, ndaj të gjithë presin t’i shohin blerjet e reja të kampionëve në fuqi në terren. I tillë është Bakaj, Ceko, Romero, Bodrusiç e Plaku. Ndërsa Tirana nuk ka pasur shumë afrime në janar përveç Patushit e Rrudhos, por ia beson arritjen  titullit grupit mjaft cilësor që ka në dispozicion.

Bluve do t’ju mungojë kapiteni Pisha dhe qendërmbrojtësin Diop. I pari është i pezulluar (ashtu si mesfushori tiranas, Sefa), ndërsa i dyti është i dëmtuar dhe thuajse i sigurt që nuk luan. Kola do të duhet të zgjedhë se kë të fusë në fushën e lojës, sepse sipas tij, riaftësimi i kapitenit Mukaj ka bërë që vlonjati të jetë në formë.

Trajnerët

Statistikat favorizojnë Tiranën, që në 125 sfidat e mëparshme ka fituar 51. 33 ndeshje janë mbyllur në barazim dhe vetë 41 janë fituar nga Dinamo. Golavarazhi është 187-162. Por për trajnerin Agustin Kola, “kjo ndeshje vlen sa 90% e titullit. Por edhe po nuk u fitua, nuk është fundi i botës.

Ka ndeshje të tjera plot, kampionati është i gjatë. E përjeton me përgjegjësi dhe emocione.

Përgjegjësi, sepse po të jesh futbollist në 90 minuta ke mundësi të rikuperosh, ndërsa tani si trajner unë luaj me këmbët e të tjerëve. Kam emocione, sepse ashtu sikur kam qenë futbollist mezi pres të fillojë ndeshja se kam dëshirë për ta fituar atë”. Ndërsa Zlatko Daliç i Dinamos kundërpërgjigjet: “Nuk na përshtatet barazimi, sepse një fitore e Vllaznisë na lë sërish prapa”. Gjithsesi, të dy fjalën ia lënë fushës
së lojës.

Tifozeria

Në fakt, është konsideruar gjithmonë si derbi i vogël, sepse i madhi etiketohej ai mes Tiranës e Partizanit. Por për vetë pozitat
dhe objektivat e të dyja skuadrave, ndeshja në fjalë i përmbush të gjitha kriteret për t’u konsideruar supersfidë dhe për të mbushur shkallët e stadiumit.

Vetë donatori Refik Halili u ka bërë thirrje fansave bardheblu për ta mbështetur skuadrën në një ndeshje të rëndësishme
si kjo e sotmja. “Ftojmë tifozerinë të na mbështesë dhe i premtojmë se do të bëjmë më të mirën dhe kam besim se do ta fitojmë derbin”, tha donatori.

Tifozët e Tiranës kanë bërë thirrje që të gjithë ata që ndihen bardheblu të jenë sot në 17.00 në shkallët e stadiumit kombëtar. Në murin e kafenesë së tyre pranë rrugës “Tafaj” te “Selvia”, grupimi “Tirona Fanatiks” ka ngjitur thirrjen për tifozët. “Të gjithë në stadium. Nisja që nga ky vend në orën 15.30, grumbullimi në tribunën D”, shkruhej në pankartë.

Top Channel