Dallku: Dy fitore për vendin e parë

23/01/2009 10:20

Nga Turqia, ku po zhvillojnë fazën përgatitore me Vorskla Poltavën, Armend Dallku dhe Debatik Curri kanë filluar të mendojnë për sfidat e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010.

Të dy mbrojtësit kuqezi shprehen optimistë për sfidat e radhës: atë në fushën e Maltës më 11 shkurt dhe përballjen me Hungarinë më 28 mars në “Qemal Stafa”.

“Besoj se me potencialin që kemi, së afërmi mund të kualifikohemi në një Evropian apo Botëror. Në të kundërt, as që do të zbrisnim në fushën e lojës. Shqipëria ka një ekip cilësor, i cili po rritet dita-ditës”, ishin fjalët e Dallkut.

“Skuadra po ecën mirë, në lojë dhe në rezultate, e kjo është padiskutim meritë e trajnerit holandez, Ari Han. Do të luajmë me Maltën jashtë fushe dhe presim Hungarinë në Tiranë. Synojmë fitoren në të dyja takimet, për t’u ngjitur në vendin e parë në grup. Shpresoj se ëndrra për të luajtur në një aktivitet madhor do të realizohet shpejt”.

Ndërkohë, Curri shtoi: “Ndodhemi në një situatë mjaft të favorshme dhe fitorja na jep shpresa për të luftuar në këtë grup të vështirë. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është shpirti i grupit dhe ambiciet për fitore”.

Top Channel