Mungesa e ilaçeve në farmacitë greke vazhdon të krijojë probleme tek
qytetarët që kanë nevojë për barna, sidomos tek ata që vuajnë nga
diabeti apo kanceri.

Të sëmurët rëndë janë të detyruar të zënë radhën, por janë pak dyqanet që kanë në dispozicion mjekimin e duhur.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka ndërmend ta zgjidhë problemin mundësisht para zgjedhjeve të 17 qershorit, duke paguar borxhet që Enti Kombëtar për Shërbimin Shëndetësor ka akumuluar ndaj farmacive.

Greqia ndodhet e fundosur në krizën e thellë ekonomike dhe shumë media ndërkombëtare e agjenci kreditimi deklarojnë se vendi është në prag të falimentimit.

Duket se vendin nuk po e shpëtojnë dot as ndihmat prej qindra miliarda eurosh që ka marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, që në këmbim kanë kërkuar masa anti-krizë.

Gjithashtu, mungesa e kapitalit financiar tek qytetarët ka bërë që ata të shesin shtëpitë e tyre tek klientë nga vendet e tjera, kryesisht tek ata rusë që preferohen nga popullsia vendase.

Ndërkohë, muajin e kaluar, shefja e FMN-së, Christine Lagarde rriti presionin mbi Greqinë, duke deklaruar se qytetarët helenë kanë para dhe bëjnë mirë të paguajnë taksat.

Në një intervistë për gazetën “The Guardian”, zonja Lagarde theksoi se për Greqinë është koha që të shlyejë detyrimet, duke shtuar se ishte më e shqetësuar për fëmijët në Afrikë.

Top Channel